



Baza Ligjore për Shërbimin Psikologjik/Shërbimin Psiko-Social
Sipas Ligjit të Arsimit Parauniversitar 69/2012 dhe Dispozitave Normative të Arsimit parauniversitar
Psikologu ka këto detyra kryesore në institucionin arsimor:
a) Në bashkëpunim me mësuesit dhe prindërit, identifikon e vlerëson, sa më herët, nxënësit me probleme të sjelljes ose me vështirësi në të nxënë, dhe harton e zbaton për këta nxënës plane individuale parandaluese ose rehabilituese.
b) Ndihmon punonjësit arsimorë, prindërit dhe nxënësit në parandalimin ose eliminimin e abuzimeve të punonjësve arsimorë ndaj nxënësve, të nxënësve ndaj nxënësve dhe abuzimeve të vetë nxënësve nga duhani, alkooli, droga etj.
c) Informon, nëpërmjet bisedave e leksioneve, punonjësit e institucioneve arsimore për zhvillimet moshore tipike të nxënësve dhe problemet tipike që nxënësit hasin gjatë të mësuarit dhe të nxënit.
ç) Ndihmon mësuesit kujdestarë dhe mësuesit lëndorë për integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në klasat e institucioneve arsimore të zakonshme.
d) Këshillon nxënësit për karrierën e tyre.
dh) Administron dhe interpreton teste psikologjike .
e) Plotëson dosjet individuale për rastet e nxënësve që kanë përfituar nga shërbimi psiko-social.
ë) Raporton me shkrim tek drejtuesi i njësisë së shërbimit psiko-social çdo fakt për abuzim të nxënësve nga punonjës arsimor dhe prindër të nxënësit.
f) Merr pjesë në kërkime të parashikuara në planin vjetor të njësisë.
Qëllimi kryesor i shërbimit psikologjik shkollor është promovimi i mirëqenies mendore dhe fizike të nxënësve si dhe lehtësimi i procesit të të nxënit.
Fusha 1: Vlerësimi
Fusha 2: Planifikimi
Fusha 3: Konsultimi dhe bashkëpunimi
Fusha 4: Këshillimi
Fusha 5: Zhvillimi profesional i psikologut shkollor
